AlbanianSport.com 31/08/2019 18:10
ASNN – “Ferrari” nuk dorëzohet. Dy makinat e kuqe do të nisen nga vija e parë në garën e së dielës në Spa, në Çmimin e Madh të Belgjikës. Lëklerku dhe Feteli kanë dominuar provat zyrtare duke treguar se janë rikthyer në konkurrim në Botërorin e Formulës 1. Nga vendi i 3-të dhe i 4-t do të nisen Hemiltoni dhe Botasi. Rikthehet kështu “Ferrari”, sepse gara e së dielës në Spa, do të ketë një vijë të parë të kuqe në nisje. Dy makinat e “Ferrarit”, nisen nga vendi i parë dhe idytë.
Sharl Lëklërku ka qenë më i shpejti në provat zyrtare të së shtunës duke marrë kështu vendin e parë të nisjes, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Sebastian Feteli. Në fakt të dy makinat e kuqe kanë qenë më të shpejta përgjatë gjithë fundjavës, duke treguar se janë rikthyer në konkurrim në këtë Botëror të Formula 1. Pas tyre, nga vendi i 3-të dhe i 4-t do të nisen Hemiltoni dhe Botasi. Dy makinat “e argjendta” nuk kanë mundur të arrijnë kohët e duhura për të kaluar “Ferrarin”.
Hemilton rrezikoi të mos merrte fare pjesë në provat zyrtare, pasi në provat e lira të mesditës ka pësuar një aksident duke prishur makinën e tij të garës. Por duket se mekanikët e Mercedes kanë bërë një punë të mrekullueshme, duke e rikthyer makinën jo vetëm të gatshme për garë, por edhe të konkurrojë për vendet e para. Ndërsa në sesionin e parë të provave zyrtare, Robert Kubica detyrohet të dalë nga pista pasi motori i makinës së tij “Uilliams” ka marrë flakë.
Piloti polak largohet pa probleme nga makina, ndërsa punëtorët e pistës mundohen të shuajnë zjarrin. Gara e Çmimit të Madh të Belgjikës do të zhvillohet të dielën, duke nisur nga ora 14:45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.