AlbanianSport.com 23/04/2019 21:55
ASNN – Formula 1 do të kthehet këtë fundjavë me garën e katërt të saj, ku bëhet fjalë për Çmimin e Madh të Bakusë, pra për garën e Azerbajxhanit. Skuadrat po përgatiten dhe janë gati të nisin provat e lira dhe ato zyrtare, ndërkohë që vëmendja shkon tek makina italiane, “Ferrari”, e cila nuk ka fituar në 3 garat e para, ku për shkak të gabimeve të pilotëve e ku për shkak të defekteve në motor, por pranohet gjerësisht se skuadra italiae ka pasur mungesë fati në duelet e para, krahasuar me “Mercedesin” që i ka fituar të 4 garat e deritanishme dhe ndodhet në vend të parë.
Piloti gjerman, Sebastian Fetel, është optimist se gjërat do të shkojnë mirë në Baku dhe “Ferrari” mund ta fitojë garën e parë për këtë edicion. “Një nga sfidat e Bakusë, është të gjesh balancimin e duhur aerodinamik, pasi ka kthesa të ngadalta, por edhe momente kur duhet të tregohesh shumë i shpejtë”, – u shpreh Fetel, dukshëm entuziast që “kokëkuqja” mund të gjejë fitoren e parë të saj. Në këtë mënyrë mendon dhe shoku i tij i skuadrës, francezi Sharl Leklërk, i cili beson se pista e Bakusë në Azerbajxhan i sjell fat sepse në këtë pistë ai ka fituar në Formula 2.
“Bakuja është një nga pistat e mia të preferuara dhe kam bërë gjithmonë mirë këtu. Kam fituar në Formula 2 dhe kam marrë pikët e në Formula 1, pikërisht në këtë pistë, pohoi piloti nga Montekarlo. – Është një pistë unike, që kërkon përqendrim maksimal, pasi në një moment po gabove, e sheh veten pas murit.” Gara e Bakusë do të zhvillohet ditën e diel dhe pritet me emocione nga skuadrat dhe pilotët, pasi është garë që prodhon surpriza.