AlbanianSport.com 30/08/2019 19:45
ASNN – I dorëzuar në luftën për titull, si për pilotë edhe për konstruktorë, “Ferrari” kërkon tashmë të fitojë sa më shumë gara, në pjesën e mbetur të Kampionatit Botëror të Formulës 1. Sipas Binotos, drejtorit të përgjithshëm të “makinës së kuqe”, Spa dhe Monza janë dy garat e radhës që ata kërkojnë të triumfojnë. Te Ferrari kanë një synim tashmë, të fitojnë të paktën disa gara, ndërkohë që makina është duke u përmirësuar në vijim.
Por brenda skuadrës, kanë dy pengje, kur duhej të kishin fituar të paktën deri tani dy gara. “Duhej të kishim fituar dy gara të lehta, këtë sezon. Dhe atëherë gjithçka do të dukej shumë ndryshe”, thotë një burim nga ekipi i “Maranelos”. Duke iu referuar Bahreinit, ku Sharl Lëklërku siguroi një nisje spektakolare nga vendi i parë, por nuk mundi të fitojë garën për shkak se iu fik motori. Por edhe garën e Kanadasë, kur Sebastian Feteli, edhe pse e kaloi i pari vijën e finishit, u penalizua me 5 sekonda.
E kështu fitorja iu dha Hamilton. Në garat e mbetura, pa aspirata për të fituar titullin “kampion” si për pilotë ashtu edhe për konstruktorë, për pjesën e mbetur të Botërorit të Formulës 1, tek “Ferrari” kanë vetëm një synim, të fitojë gara. Vetë Binoto e konfirmon atë, duke mohuar se ata tani do të përqendrohen ekskluzivisht në makinën e vitit 2020. “Unë nuk mendoj se duhet ta bëjmë këtë, pra të mendojmë për 2020”, – thotë drejtuesi i skuadrës italiane.
“Ende ka shumë gara, nuk kemi fituar asnjë këtë sezon kështu që ne vazhdojmë ta kemi atë qëllim, të fitojmë gara, – ka vijuar ai. – Dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur atë”. E duket se dy garat e radhës janë objektivi. “Jemi dy mundësi të qarta, Spa dhe Monza. E para, këtë fundjavë, kërkon shumë ngarkesë aerodinamike por edhe shpejtësi të lartë. Në Itali, drejtpërdrejt, “SF90”-ta e Fetelit dhe e Lëklërkut janë favoritët e qartë për epërsinë e tyre të frikshme motorike”, – ka përfunduar Binoto.