AlbanianSport.com 01/07/2020 20:55
ASNN – Përtej “dallgëve” të “Covid-19”-ës dhe dyshime madje për rinisjen e tij, sezoni i ri i Formulës 1 po i drejtohet me hapa të vegjël, por të sigurt, alpeve austriake për të ngritur atje siparin e 2020-ës. Dhe “Ferrari” ka mbërritur tashmë në Shpilberg dhe menjëherë kanë ardhur deklaratat e Matia Binotos për ekipin e tij. “Ne nuk kemi paketën më të shpejtë dhe kjo nuk ka ndryshuar”, – ka pohuar kreu i skuadrës italiane.
“Makina këtë fundjavë do të përdorë të njëjtin konfigurim si në testet e Barcelonës, – ka vijuar ai. – Të dyja makinat, ajo e e Lëklerkut dhe ajo e Fetelit nuk kanë pësuar ndryshime aerodinamike.” Në Maranelo kanë vendosur të ndryshojnë kursin me zhvillimin e makinës “SF1000”, duke e evoluar atë. Dhe paketa e re do të dalë vetëm pas dy javësh, në Hungari.
Kjo deklaratë vjen për të qetësuar disi durimin e tifozëve të “Ferrari”-t. “Ne duhet të jemi realistë duke marrë parasysh mënyrën se si shkuan testet, por ne nuk do të dorëzohemi, – thotë Sebastian Feteli. – Do të jetë e çuditshme të bëjmë dy gara me radhë edhe pse për të dytën do të kemi më shumë njohuri. Do të dijmë të bëjmë dallimin nga java e parë në të dytën për t’u përmirësuar.”
Ky justifikim i pilotit të “Ferrari”-t, duket sikur justifikon faktin e largimit të tij nga skuadra e kuqe. Të gjithë janë të vetëdijshëm se gjermani po largohet nga “Ferrari” sepse nuk kishte një makinë të shpejtë.