AlbanianSport.com 13/09/2021 18:25
ASNN – E gjithë bota e motorsportit është tronditur nga aksidenti midis Ljuis Hemiltonit dhe Maks Verstapenit në Çmimin e Madh të Italisë. E megjithatë Ros Brauni, Drejtori i Formulës 1, ka vendosur të mos mbajë anën e askujt, duke e komentuar kështu aksidentin në Monza: “Jam i sigurt se të gjithë tifozët janë të ndarë, secili mbron atë që mendon se i duket e drejtë. Por ju them me siguri se të dy pilotët mund ta kishin evituar aksidentin.”
“Kjo gjë tregoi edhe njëherë se ata janë dy djem që luftojnë kokë më kokë, nuk duan t’i hapin rrugë njëri-tjetrit dhe nuk duan të lëshojnë asnjë centimetër hapësirë, – ka vijuar ai. – Është fatkeqësi që përfunduan jashtë piste. Sepse mund të kishin dhuruar një garë fantastike. Jam kurioz të di se çfarë ndikimi do të ketë ky aksident në luftë e tyre për titullin “kampion”. Personalisht mendoj se ky aksident nuk e ka ndryshuar dinamikën e ngjarjeve.”
“Ata janë “dy gjela në një kotec” për momentin dhe janë duke vuajtur pasojat e këtij fakti, – ka vijuar drejtuesi i Formulës 1. – Nuk besoj se asnjëri prej tyre do të tërhiqet deri në fund të kampionatit, pra t’i hapë rrugë tjetrit. Por shpresoj shumë që titulli të vendoset në pistë dhe jo në barrierat e saj apo në dhomat e komisarëve”. Fjalë të rëndësishme këto të thëna nga Drejtori i Formulës 1.
Ai edhe njëherë ka dashur t’i tërheqë vëmendjen pilotëve, për t’u treguar më të kujdesshëm në pistë dhe më pak kokëfortë. Konkluzioni: “Është më mirë të vazhdosh garën dhe të luftosh në pistë se sa të bësh kokëfortin dhe të përfundosh jashtë gare”.