AlbanianSport.com 10/09/2021 15:10
ASNN – Në Monza sërish gara “sprint”, Ros Braun analizon të mirat dhe të këqijat e saj. Në Çmimin e Madh të italisë në Formula 1 do të aplikohet sërish gara “sprint”, gjë që do të ofrojë një pasqyrë më të qartë, me të mirat dhe të këqijat e këtij formati pasi faktori risi tani nuk ekziston më. E aplikuar për herë të parë në Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe gara sprint u pa në përgjithësi si një sukses i madh, edhe pse disa kritika u bënë më pas. Megjithatë, ajo mbetet një eksperiment për t’u parë, me të mirat dhe këqijat e saj.
Për Ros Braunin, Drejtorin e Formulës 1, aplikimi i saj në këtë fundjavë në Monza do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar siç duhet nëse pikat e mira dhe të këqija të Silverstounit ishin dështime apo një trend. “Në Silverstoun, natyrisht që ishte risia e një here të parë, kështu që ne duhet të vazhdojmë me herën e dytë dhe të 3-të për të arritur në një përfundim të plotë, – shpjegoi ai. – Por sigurisht nuk ka asgjë nga gara e parë që nuk e ka forcuar bindjen tonë se ka vend për një format të tillë në një numër të vogël garash çdo vit.”
“Kishte shumë gjëra pozitive, – ka vijuar ai. – Kishte angazhim më të madh nga ana ekipeve, por ka gjëra që mund t’i përmirësojmë. Mendoj se në përgjithësi jemi shumë të kënaqur.” Por Brauni është i vetëdijshëm se kishte disa reagime në lidhje me aspekte të caktuara se si funksionoi formati. Ankesa më e madhe e të gjithëve, përfshirë, tifozët, pilotët dhe ekipet ishte se pozicioni i nisjes nga vendi i parë për Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe iu dha fituesit të garës së sprintit dhe jo pilotit më të shpejtë në provat zyrtare.
“Ne i respektojmë mendimet e tifozëve tanë, – tha zyrtari i Formulës 1. – Interesant ishte edhe mendimi i pilotëve. Ata thanë se vendimi për nisjen nga vend i parë ishte pak konfuz dhe ne duhet ta zgjidhim atë.” Por edhe përcaktimi i garës së sprintit me vetë fjalën “garë” hasi diskutime. “Për sa i përket emrit është pak e vështirë, – e pranoi ai. – Por ju keni të drejtë, të gjithë gabojnë ta quajnë atë një “garë”. Kështu që ne duhet ta zgjidhim atë. Kjo është diçka që ne duhet ta diskutojmë me FIA-n sepse ata kanë fjalën e fundit në këtë rast. Ne do të mblidhemi me ta pas garave dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, – ka përfunduar Drejtori i Formulës 1, Ros Braun.