AlbanianSport.com 29/09/2018 19:05
ASNN – Skuadra e “Mercedesit” e ruajti të paprekur dominimin e saj të plotë në pistën e Soçit të shtunën, pasi janë dy pilotët e saj që do të nisen të parët të dielën. Sikundër provat zyrtare që u zhvilluan të shtunën, edhe gara e Çmimit të Madh të Rusisë do të sillet të dielën drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 13:00. Valteri Botas e ruajti të paprekur bilancin e tij të jashtëzakonshëm në pistën e Soçit të shtunën, ku në 4 edicionet e deritanishme e kishte lënë prapa shokun e tij të skuadrës.
Edhe në këtë edicion të 5-të, ai nuk ka bërë përjashtim dhe finlandezi do të niset i pari në garën e së dielës në Çmimin e Madh të Rusisë, pasi e sfidoi me sukses si shokun e tij të skuadrës së “Mercedesit”, Ljuis Hemiltonin, ashtu edhe dyshen e “Ferrarit”, Sebastian Fetel-Kimi Raikonen, të cilët janë detyruar të kënaqen me vijën e parë të nisjes. Kjo është gara e dytë e këtij sezoni dhe e 9-ta në karrierë për Botasin që triumfon në provat zyrtare. Finlandezi i shpalli që në fillim pretendimet e tij në pistën ruse, duke qenë i shpejtë në xhirot e para.
Por Ljuis Hemiltoni nisi të vendoste autoritetin e tij, duke sfiduar shokun e skuadrës. Por në xhirot e dyta, Hemiltoni ishte mjaft i shpejtë në sektorin e parë, por gaboi në kthesën e 7-të, duke e marrë gjerë kthesën dhe u detyrua ta anulonte xhiron. Ndërkohë, Botasi ruajti gjakftohtësinë dhe e uli edhe më tepër kohën, duke vendosur rekordin e pistës me 1 minutë, 31 sekonda e 387 të mijëtat, 145 të mijëtat më i shpejtë sesa shoku i tij i skuadrës tek “Mercedesi”.
Ndërkohë, “Ferrari” ishte mjaft prapa, pasi Sebastian Feteli ishte afro gjysmë sekonde më i ngadaltë, por mund të ngushëllohet nga fakti se bashkë me shokun e skuadrës, Kimi Raikonen, do të zënë radhën e dytë të nisjes, ndërsa 10-shen e të parëve e plotësojnë Magnuseni, Okoni, Lëklërku, Perezi, Groszhoni dhe Eriksoni. Sikundër provat zyrtare që u zhvilluan të shtunën, edhe gara e Çmimit të Madh të Rusisë do të sillet të dielën drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 13:00.