AlbanianSport.com 30/01/2019 21:10
ASNN – Xhenson Baton sheh ditë të vështira për Sebastian Fetel: “Nuk del kampion, i mungojnë “truprojat””. Ish-kampioni i botës në vitin 2009, Xhenson Baton, mendon se gjermani i “Ferrarit”, Sebastian Fetel, nuk do të mund të fitojë asgjë në edicionin e ri të Formula 1, sepse, sipas tij, atij i mungojnë “truprojat” dhe largimi i Kimi Raikonenit do t’i nxjerrë vështirësi të mëdha dhe se ardhja e shokut të ri të ekipit, Lëklerk, do ta sfidojë dhe do ta bëjë që të kacafyten së bashku.
Edhe pse Baton mendon se “Ferrari” si skuaderi dhe si makinë janë pretendentë, sërish Fetel do të ketë vështirësi të menaxhojë prioritetet e tij për titullin, jo vetëm nga rivaliteti me pilotët e tjerë dhe skuadrat e tjera në Formula 1, por në radhë të parë se nga “Ferrari” është larguar shefi i skuadrës, Arrivabene, si dhe piloti finlandez Kimi Raikonen. “Ferrari do të ketë probleme, sepse ka ikur Arrivabene dhe Raikonen, të cilët ishin truprojat e Sebastian Fetelit”, – ka deklaruar Batoni.
“Lëklerku që ka ardhur tani nuk do të pranojë të jetë pilot i dytë, këtë e dinë të gjithë, kështu që “Ferrari” do të shndërrohet në një skuadër me probleme të brendshme, ku të dy pilotët do të luajnë “secili në kokën e tij”, – ka vijuar britaniku. – Jam i sigurt se “Red Bullit” i kanë ikur fitoret nga duart në shumë raste për shkak se pilotët kanë rivalitet brenda llojit. E njëjta gjë do të ndodhë dhe mes Fetelit dhe Lëklerkut.”
Pavarësisht nga këto mangësi, Baton mendon se gjermani Sebastian Fetel do të tentojë titullin botëror me “Ferrarin” në edicionin e ri dhe me ndryshimet që janë bërë, si dhe tiparet e tij sulmuese në garë dhe rrezikun që ai as e njeh, me siguri që do të prodhojë një Botëror fantastik. Kuptohet, rivaliteti do të jetë kryesisht “Meklarenin”, dhe veçanërisht me pilotin britanik, Ljuis Hamilton.