AlbanianSport.com 01/03/2021 20:10
ASNN – Mbretëria e Bahreinit ka njoftuar se po planifikon të ofrojë falas vaksinat e “Covid-19”, për ata që udhëtojnë për testet e Formula 1 dhe Çmimin e Madh në Mars. Në shtetin e Gjirit Persik do të zhvillohen provat e vetme para-sezonale të Formulës 1, që do të mbahen nga data 12, deri më 14 mars 2021, përpara garës për hapjen e sezonit, që mbahet në fundjavën e 26-28 marsit 2021.
Bahreini aktualisht ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit për “Covid-19” në botë, me rreth 9% të popullsisë që tashmë i kanë marrë të dyja dozat e kërkuara. Me një numër të madh personeli që do të jetë në Bahrein për periudhën e plotë 3-javore që mbulon si testimin ashtu edhe garën e Formula 1, vendi tani ka njoftuar se do t’u ofrojë atyre vaksina “Covid-19” falas.
Bahreini tha se do ta shtrinte programin e tij të vaksinimit për këtë veprimtari sportive, mbi një bazë vullnetare, ku afatet kohore lejojnë dhe sigurojnë përfitime shtesë për pjesëmarrësit dhe popullsinë kombëtare. Ministria e Shëndetësisë e Bahreinit do t’u ofrojë të gjithë atyre që klasifikohen si “pjesëmarrës në garë” që të vaksinohen pas mbërritjes në Bahrein.
Ndërsa dozën e dytë do ta marrin përpara se të largohen nga vendi. Por duket se shumica e ekipeve pjesëmarrëse në garën e parë të Botërorit të Formula 1, nuk do ta marrin parasysh ofertën e Bahreinit, edhe për arsye se një pjesë e tyre vijnë nga vende që kanë avancuar me programin e vaksinimit.