AlbanianSport.com 21/08/2021 17:20
ASNN – Kreu i skuadrës, Frederik Vasjër, projekton një skuadër tërheqëse për sukses. “Alfa Romeo” është një nga skuadrat që merr pjesë në Botërorin e Formulës 1, por që ende nuk ka arritur aty ku shpresohej. Por kreu i skuadrës, Frederic Vasjër, mendon se synimet e skuadrës italiane të Formulës 1 mund të shërbejnë si joshje për një pilot të nivelit të lartë.
Si Kimi Raikonen, ashtu edhe Antonio Xhovinaci kanë nënshkruar me “Alfa Romeo” kontrata të vlefshme deri në fund të sezonit aktual dhe veterani finlandez nuk ka gjasa të mbetet për sezonin e ardhshëm, teksa skuadra italiane ka në shënjestër bashkëatdhetarin e tij, Valteri Botas, natyrisht, nëse ky i fundit nuk vazhdon më me “Mercedes”-in.
Vasjëri pati deklaruar në fillim të këtij viti se skuadra e tij nuk e kishte përjashtuar mundësinë e zëvendësimit të të dy pilotëve aktualë, por këmbënguli se “gjithçka është e hapur”. “Alfa Romeo” ka zgjatur marrëveshjen me “Sauber”-in në atë që Vasjëri e ka cilësuar si një bashkëpunim afatgjatë që e vë theksin tek dëshira e markës italiane për sukses në këtë sport.
“Mendoj se jemi në një pozitë të mirë, sepse jemi ambiciozë”, – deklaroi kreu i skuadrës italiane, duke vijuar: “Po rritemi, sa u përket partnerëve tanë, sponsorëve e kështu me radhë. Edhe buxheti ynë po rritet. Tanimë detyra ime më e vështirë është t’i bëj pilotët më të mirë të vijnë e të garojnë me makinat tona. Duket e vështirë, por besoj se ne po ndërtojmë profilin e duhur për t’i joshur ata”, – ka përfunduar kreu i “Alfa Romeo”-s, Frederic Vasjër.