AlbanianSport.com 28/02/2021 17:55
ASNN – Epidemia e virusit korona nuk do të pengojë ardhjen e spektatorëve në garat e Formula 1 për 2021-shin. Sipas Drejtores së Përgjithshme të Promovimit të Garave, Adams, pas masave të marra dhe vaksinimit, janë krijuar kushtet, që të paktën në pjesën e dytë të sezonit, spektatorët e Formula 1 të rikthehen. Kështu, Formula 1 mbetet shpresëplotë që spektatorët do të lejohen në “shumicën” e garave në 2021-shin, por secili rast do të gjykohet mbi kushtet specifike lokale që mbizotërojnë në atë kohë.
Drejtorja e Përgjithshme të Promovimit të Garave në Formula 1, Kloe Target-Adams, përmendi vaksinimin e suksesshëm dhe përmirësimin e kontrollit të “Covid-19” në Britaninë e Madhe, si një tregues që aty gara të mund të bëhet me tifozë. Megjithatë ajo vuri në dukje se prania e spektatorëve do të bëhet më e mundshme në gjysmën e dytë të vitit, sepse vendet po ndjekin afate të ndryshme kohore për çlirimin përfundimtar nga epidemia.
“Në këtë fazë, unë jam ende optimiste se pjesa më e madhe e sezonit do të shohë spektatorë, – tha Target-Adams në një seminar. – Dhe unë mendoj se është padyshim shumë specifik për territorin dhe për vendndodhjen. Ne jemi shpresëplotë për Britaninë e Madhe, që aty gara mund të bëhet me spektatorë, pasi qeveria ka bërë një punë të shkëlqyer me shpërndarjen e vaksinave. Padyshim që kapacitetet duhet të përcaktohen.”
“Por në vendet e tjera kanë një trajektore të ndryshme për shpërndarjen e vaksinës, – ka vijuar ajo. – Duke u afruar secilës garë, do të shohim se si do jetë situata e pandemisë dhe më pas do të procedojmë,” Target-Adams tha se mësime u nxorën që vitin e kaluar në ato gara ku u lejuan spektatorët. “Vitin e kaluar në Portugali dhe Rusi u lejuan 30,000 tifozë, – sqaroi ajo. – Kjo na siguroi se duke marrë masat e duhura, çdo gjë mund të arrihet. Ne e dimë që distancimi shoqëror do të mbetet.”
“Vetëm kështu mund të shkojmë përpara, – ka vijuar zyrtarja e Formulës 1. – Përndryshe nuk do të funksionojë. Kështu që ne jemi me shpresë dhe po planifikojmë që tifozët të kthehen në garat tona këtë vit.” Por këtë vit, Botërori i Formula 1 ka disa risi. Për herë të parë do të ketë 23 gara dhe do të nisin në Bahrein dhe jo në Australi, si gjithnjë. “Epidemia nuk do t’i zbehë aspak ambicjet e këtij sporti për të ecur përpara, – tha Target-Adamsi. – Ne do të përpiqemi të bëjmë të mundur atë që duket e pamundur.”