AlbanianSport.com 22.05.2015 22:15
Në turneun për talentet e rinj, “Blue Stars/FIFA Youth Cup 2015”, që u mbajt për dy ditë me radhë në Zvicër, ka shkëlqyer i riu shqiptar Florian Kamberi. Në këtë turne ishin pjesëmarrëse shumë ekipe evropiane të grupmoshave Nën-21-vjeç.
Padyshim, në sy ra loja fantastike e talentit nga Peja, i cili ishte nga lojtarët kryesore të këtij turneu. Falë lojës së mrekullueshme, ekipi i tij, Gras’hopers, arriti të pozicionohet midis 5 ekipeve më të mira, të cilët në ndeshjen e fundit u mposhtën nga të rinjtë e Fejënordit të Holandës, ku Floriani shënoi një gol dhe dha një pasim për gol.
Edhe ekspertët e futbollit e kanë vlerësuar shumë paraqitjen e Kamberit, ku veç tjerash në shkrimin e tyre për këtë turne, ata thonë: “Florian Kamberi ishte mbresëlënës dhe ka cilësi të larta të një golashënuesi”.
Paraqitja e tij ra në sy të shumë përfaqësuesve të ekipeve që ishin në këtë turne, që kanë shfaqur menjëherë interesim për të, sidomos Aston Vila, Shalke 04-a dhe Verder Bremeni, që tashmë kanë bërë edhe oferta zyrtare në drejtim të tij.
Dhjetorin e vitit të kaluar Floriani nënshkroi kontratën e parë profesionale për ekipin e Gras’hopersit, por ende nuk është aktivizuar në ndonjë ndeshje zyrtare, përveç atyre miqësore, ku në njërën prej tyre ka arritur të shënojë një gol dhe të japë pasimin për një tjetër gol, në fitoren prej 6-0 ndaj Juve Zurihut.