AlbaniaSport.net 25.01.2015 10:25
ASNN – Ndeshja e së shtunës në mbrëmje mes Haxhi Krasniqit dhe gjermanit Jurgen Brahmer, e zhvilluar në ringun e Rostokut dhe e vlefshme për titullin “kampion bote” në versionin WBA, është ndjekur nga të gjithë shqiptarët. Sigurisht që askush nuk është ndjerë mirë me humbjen e Krasniqit, apo dhe me tërheqjen e tij në përfundim të raundit të nëntë për shkak të dëmtimit.
Dhe një ndër ato që ka komentuar këtë ndeshje të tij ka qenë dhe Luan Krasniqi, i cili ka deklaruar se pavarësisht humbjes, Haxhi Krasniqi është një talent në boksin profesionist që ka nevojë për t’u mbështetur dhe përkrahur.“Një ndeshje e madhe ishte të shtunën në mbrëmje, – ka shkruar Luan Krasniqi në faqen e tij në “Facebook”. – Jurgeni ka fituar, por Robini ka treguar se e ardhmja është me të.”
“Ai është ende i ri për të sulmuar sërish”, – ka shtuar Luani. Optimizëm të njëjtë ka treguar edhe Haxhi Krasniqi menjëherë pas humbjes, duke thënë se nuk e ka ndërmend të ndalet për titullin e kampionit të botës. Haxhi Krasniqi ka shkruar për ndeshjen e humbur mbrëmë ndaj Jurgen Brahmer për titullin “kampion bote”. Boksieri kosovar deklaroi se edhe humbja është pjesë e lojës.
“Humbja është pjesë e lojës, fati nuk ishte në anën time. Edhe po të doja ta vazhdoja lojën nuk do mundja ta nxirrja me sukses atë”, – theksoi Haxhi Krasniqi, i cili ka bërë dhe një operacion plastik në buzë për shkak të çarës që ka marrë në buzë.