Gjergj Vyshka 06.04.2015 19:50
Sadik Mema dhe Arjan Fetishaj janë trajnerët e skuadrave kampione për të rritur e të rinj në garën dimërore, e cila ka përfunduar dje në mesditë në Tiranë. Për Memën e “Te Stelës” mundësitë kanë qenë dhe për të reja. “Megjithatë mendoj se kemi arritur më të mirën si skuadër, – ka deklaruar Mema. – Ajo që duhet evidentuar është fakti se tashmë është krijuar një grup notarësh cilësor në vend, të cilët janë një shpresë e madhe për paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare.”
“E kam fjalën për Franc Aleksin, Deni Bahollin, Binald Mahmutin, Diana Bashon, Nikol Merizajn, etj, – ka vijuar ai. – Janë të gjithë notarë që premtojnë me të dhënat e tyre për të qenë dinjitoz në arenën ndërkombëtare. A duhet të jemi ne si bota? Më thoni ju në çfarë fushe të jetës jemi ne si bota që e kërkojmë tek noti. Ishim në peshëngritje, apo në ndonjë fushë tjetër. Por mos harroni që bota ka ecur përpara e ne kemi mbetur në vend.”
“Të paktën tani nuk importojmë notarë nga jashtë, por gjithçka e kemi në vend. Unë jam i kënaqur me sportistët e mi. Kemi dy-tre vjet që dalim kampion me fëmijët, apo të rriturat. Shpresojmë që të jemi kështu dhe në garat e verës”, – ka përfunduar Mema. Ndërkohë për Fetishajn duhen llogaritur dhe Teuta si rival. “Tirana gjithnjë ka qenë dhe do të jetë pretendente kryesore për titull kampion”, – ka thekuar ai.
“Nëse Tirana dhe “Te Stela” kanë qenë të tilla si pretendente dhe janë dhe tani, tashmë duhet llogaritur dhe Teuta, që është bashkimi i tre ekipeve. Në Ballkaniadë nuk besoj të shkohet, sepse duhet të gjejmë sponsor për të vajtur atje. Më pas unë jam i bindur se në garat e radhës do të bëjmë më të mirën e mundshme, qofshin këto dhe ndërkombëtare”, – ka përfunduar Fetishaj.