AlbanianSport.com 19/02/2024 20:10
ASNN – Paditet në polici zyrtari i FSHF-së, Klubi i Flamurtarit e cilëson të pahijshme sjelljen e delegatit Bujar Pregja. Reagimet e zyrtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Bujar Pregja, janë cilësuar si të papërshtatshme nga drejtuesit e Flamurtarit, të cilët e kanë denoncuar atë në Polici. Dhe drejtori sportiv i klubit vlonjat, Alfred Ferko, shpreson që në vijim këto sjellje të mos përsëriten.
Klubi i futbollit Flamurtari denoncon në polici zyrtarin e FSHF-së, Bujar Pregja. Ky i fundit ishte i deleguar në ndeshjen e ditës së diel, Flamurtari-Korabi, të luajtur në Vlorë. Drejtori i klubit vlonjat, Alfred Ferko, ka konfirmuar se denoncimi është kryer menjëherë pas ndeshjes, ndërsa zyrtari Pregja ka kryer veprime ndaj tifozerisë vlonjate, çka çoi edhe në këtë hap të klubit.
Ferko ka bërë të ditur se “është i papranueshëm një veprim i tille, i cili mund të çojë deri edhe në situata më të rënda apo edhe në nxitje të dhunës”. Klubi vlonjat është i pari që ndërmerr një hap të tillë dhe sipas Ferkos, një veprim i tillë duhet që të bëjë që edhe klubet e tjera të veprojnë për të mos lejuar që të përsëriten situata të tilla nëpër stadiume.
Drejtori i klubit, Alfred Ferko, ka kërkuar që gara të jetë e qetë, ndërsa veprime të tilla ndaj Flamurtarit jane prej kohësh, ndërsa klubi do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Veprime të tilla, aq më shumë të një zyrtari të FSHF-së, sjellin deri edhe dhunë në stadiume, ndërsa klubi është i qetë në veprimet që kryen dhe nuk ka frikë se mund të krhehen në pasoja për vetë skuadrën.