AlbanianSport.com 27/08/2019 17:50
ASNN – Flamurtari ka një ndeshje të vështirë për të luajtur të mërkurën, në javën e dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kuqezinjtë do të presin në Vlorë, Kukësin, një skuadër pretendente për titull. Trajneri i skuadrës vlonjate, Dritan Sadedini, pranon se do të jetë një ndeshje e vështirë.
Vetëm pak ditë pas humbjes së pësuar në Korçë, Flamurtari zbret sërish në fushë. Këtë radhë në fushën e vet, në stadiumin Flamurtari, do të presë Kukësin. Një nga skuadrat pretendente për titullin “kampion”. Trajneri i kuqezinjve, Dritan Sadedini, pranon se ndaj Kukësit do të jetë një sfidë e vështirë.
Humbja ndaj Skënderbeut, sidomos në sekondat e fundit të takimit djeg shumë për Flamurtarin. Në ndeshjen ndaj Kukësit, për Flamurtarin do të mungojë Zeqaj, për shkak të kartonit të kuq, ndërsa Sukaj ende nuk është gati. Por Sadedini ka vënë në dukje edhe problemet e tjera që vuan skuadra.
Trajneri i Flamurtarit, Dritan Sadedini, shpreson që, deri në ditën e fundit të merkato, të ketë afrime të tjera lojtarësh. Ndeshja Flamurtari-Kukësi, që do të luhet të mërkurën, duke nisur nga ora 19:00, në Stadiumin “Flamurtari”, ul siparin e javës së dytë të Kategorisë Superiore.