AlbanianSport.com 30.10.2015 17:40
ASNN – Trajneri i Flamurtarit, Stanislav Levi, është larguar nga drejtimi i skuadrës, teksa nuk është paraqitur në stërvitjen e së premtes. Shkaku i largimit të trajnerit çek janë pagat e pamarra që nga fillimi i kampionatit. Problemet në klubin e futbollit “Flamurtari” duket se nuk kanë fund.
Sipas burimeve pranë klubit vlonjat, trajneri i skuadrës, Stanislav Levi nuk është paraqitur në seancën stërvitore të së premtes. Tashmë gjendjes kaotike te futbollistët vlonjatë, për shkak të pagave të pamarra, i është shtuar edhe problemi se do t’u duhet të luajnë pa trajnerin Levi.
Të premten, duke parë se situata e pagave nuk po merrte zgjidhje, trajneri Levi nuk është paraqitur në stërvitje. Kjo gjë i detyroi gjithashtu dy lojtarët çekë, Buval dhe Peter Trap, të largohen nga Flamurtari, ndërsa para tyre ishin larguar edhe përgatitësit atletikë.
Përpara sfidës së të shtunës me Skënderbeun, skuadra bregdetare ka zhvilluar stërvitjen nën drejtimin e Ardi Beharit, shefit të klubit vlonjat.