AlbanianSport.com 14/02/2019 16:20
ASNN – Partizani është skuadra që fiton më shumë në fushën e tij dhe këtë e dëshmojnë statistikat e dueleve që ka zhvilluar deri tani në Kategorinë Superiore, pasi qëndron mbi të gjithë ekipet e tjera. Plot 8 ndeshje në 10 gjithsej ka fituar brenda fushës së tij skuadra e kuqe, teksa ka humbur vetëm një herë dhe ka barazuar në një takim tjetër. Pra Partizani i ka ndeshjet brenda fushës së tij si armë të fortë që bën diferencë. Skuadra që fiton më shumë në fushën e saj pas Partizanit është Skënderbeu me 6 fitore, por korçarët kanë humbur 3 takime e barazuar një tjetër në stadiumin e Korçës.
Kukësi që është rivali kryesor për titull i Partizanit, çuditërisht më shumë ka fituar jashtë fushës së tij sesa brenda fushe (megjithëse Kukës nuk luan asnjë ndeshje në stadiumin e tij, për shkak se impianti do të rikonstruktohet dhe duelet pritëse i zhvillon në Kamzë). Verilindorët kanë fituar në fushën e tyre 5 ndeshje, kanë barazuar 3 dhe humbur 3 të tjera, duke grumbulluar vetëm 18 pikë, nga 25 që ka grumbulluar Partizani. Sa i takon ndeshjeve jashtë fushës, Partizani ka siguruar 6 fitore, 3 barazime e 2 humbje, duke grumbulluar 21 pikë.
Kurse Kukësi rival ka 6 fitore, 2 barazime e 2 humbje, duke grumbulluar 20 pikë. Pra, në ndeshjet jashtë fushës Partizani e Kukësi janë njëlloj, për këtë arsye diferenca në klasifikim si vend i parë dhe vend i dytë me 8 pikë janë dëshmi e superioritetit të Partizanit në ndeshjet brenda fushës dhe kjo ka domethënie për një kampionat si ai shqiptar. Kjo e justifikon edhe trajnerin Armand Cungu dhe presidentin e skuadrës Safet Gjici që thonë se stadium po i penalizon dhe statistikat u japin të drejtë. Ekipet e tjera i kanë më të balancuara rezultatet e tyre brenda dhe jashtë fushe.
Duke dëshmuar kështu qëndrueshmëri për pozitat që kanë. Anomali shfaq vetëm Flamurtari i Vlorës, i cili fiton shumë brenda fushës së tij, 6 takime nga 10 gjithsej, ndërsa ka edhe 2 barazime e dy humbje, pra 20 pikë të grumbulluara, kurse jashtë fushës së tyre vlonjatët janë të dobët, sepse në 11 ndeshje kanë fituar 2, barazuar 4 dhe humbur 5, duke grumbulluar vetëm 10 pikë, pra gjysmën e atyre të siguruara në Vlorë. E vetmja skuadër që i ka pothuajse në balancë të plotë rezultatet brenda dhe jashtë fushe është Luftëtari.
E cila, në Gjirokastër ka fituar 3 takime, barazuar 2 dhe humbur 6, ndërsa jashtë fushës ka fituar 3, barazuar 1 dhe humbur 6 të tjera, duke pasur një diferencë 11-10 të pikëve brenda e jashtë fushe.