AlbanianSport.com 31/08/2019 17:15
ASNN – Dy humbje në dy ndeshjet e zhvilluara deri tani. E pa mundur të marrë veten nga këto disfata, Flamurtari luan të dielën një tjetër përballje të vështirë, atë me Partizanin. Trajneri i kuqezinjve të Vlorës, Dritan Sadedini, e di se skuadra e tij nuk do ta ketë të lehtë.
Ka qenë shumë e vështirë për Flamurtarin të luajë 3 ndeshje në një javë. Duke parë faktin se është një skuadër e krijuar shumë pak kohë para nisjes së kampionatit e futbollistët nuk janë stërvitur si duhet. Të këtij mendimi janë si trajneri Sadedini por edhe Bajram Nebihi, futbollist i ardhur në merkaton e verës te Flamurtari.
Formacioni i Flamurtarit ka ndryshuar në dy ndeshjet e zhvilluara. Trajneri Sadedini pranon se sërish do të ketë ndryshime. Kjo për faktin se gjatë ditëve të stërvitjes shikon lojtarët që kanë gjendjen më të mirë për t’u aktivizuar. Një pikë me Partizanin do të kënaqte Flamurtarin. Këtë e pohon si Sadedini edhe Nebihi.
Pas ndeshjeve të kësaj jave, Kategoria Superiore do të jetë 10 ditë pushim për shkak të sfidave të Kombëtares kuqezi në kuadër të Eliminatoreve të Evropiani 2020. Këto ditë do t’i japin mundësi trajnerit Sadedini për të stërvitur më mirë skuadrën si dhe lojtarëve për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.