AlbanianSport.com 12/04/2019 16:40
ASNN – Ish-mesfushori i Flamurtarit, Agustin Torrasa, do të kthehet sërish në Vlorë. Ka qenë presidenti i kubit vlonjat Sinan Idrizi, i cili i ka paguar biletën Torrasës që të vijë në Vlorë e të bëhet pjesë e skuadrës, me pretendimin se do ta paguajë. Në fakt, ish-mesfushori kaloi në muajin shkurt në kampionatin kinez, por skuadra ku firmosi falimentoi dhe ai u largua nga Kina, për t’u kthyer në vendlindjen e tij, në Argjentinë.
Por me letra Torrasa figuron lojtar i Flamurtarit dhe ka mjaftuar kjo kontratë që Idrizi të bëjë një sforco për ta rikthyer atë në skuadër, pasi Flamurtari në këtë moment është shumë pranë kualifikimit në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm, pasi mundi Teutën në një duel direkt të luajtën në Vlorë ditën e mërkurë, me rezultatin 3-1.
Rikthimi i Torrasës mund të ndihmojë trajnerin Ilir Daja ta përmbushë me sukses këtë objektiv, pasi dihet që argjentinasi është i përshtatur në kampionatin shqiptar, e njeh mentalitetin e tij dhe ka cilësi për të bërë gjëra të mira, prandaj dhe Sinan Idrizi nuk hezitoi t’ia paguajë biletën e avionit e ta kthejë Torrasën në gjirin e skuadrës së Flamurtarit.