AlbanianSport.com 26/02/2018 09:45
ASNN – Në takimin më të spikatur, por edhe që mbylli javën e 12-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për femra, të vlefshëm për nivelin më të lartë që njihet si Grupi A1, Flamurtari ka fituar 58-53 në Durrës ndaj Goga Basket, një sukses ky që i ka rikthyer kampionet vlonjate në krye të renditjes.
Ndeshja e luajtur në Durrës ka qenë gjatë gjithë kohës e barazpeshuar dhe të dyja skuadrat kanë luftuar fort për ta fituar atë, por në fund kanë triumfuar basketbollistet mike, që korrën suksesin e 10-të sezonal. Në anën tjetër, kjo ishte një humbje që zbret ekipin e Goga Basket në vendin e dytë në renditje, me pikë të barabarta me Tiranën.
Durrsaket e nisën më mirë takimin, teksa udhëhoqën 19-13 në përfundim të pjesës së parë, ndërkohë që vlonjatet e rritin presion dhe me kalimin e minutave, arrijnë edhe t’i barazojnë shifrat në 27-27 në mbyllje të 20 minutave të para. Mikeshat marrin shpejt në dorë frenat e lojës në çerekun e tretë, ku udhëheqin 43-39.
Një epërsi e ngushtë kjo, por që ruhet deri në fundin e takimit, falë edhe një skuadre më të kompletuar që kanë vlonjatet. Flamurtari fitoi 58-53, duke u bërë skuadra e parë këtë sezon që arrin kuotën e 10 fitoreve, sukses i rëndësishëm që arrihet në fushën e një ekipi rival direkt për titull.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 12-të
(22-25 shkurt 2018)
Studenti – Tirana 49-85
Skënderbeu – Vllaznia 41-58
Goga Basket – Flamurtari 53-58
Renditja
Nr. Skuadra N F H Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 12 10 2 872-773 22
- Tirana 12 9 3 911-675 21
- Goga Basket 12 9 3 941-734 21
- Studenti 12 4 8 743-872 16
- Vllaznia 12 3 9 707-865 15
- Skënderbeu 12 1 11 646-901 12