AlbanianSport.com 01.12.2014 22:55
ASNN – Me takimin midis Flamurtarit dhe Elbasanit, që është luajtur sonte në Vlorë, duke nisur nga ora 17:00 dhe është fituar nga vendasit me rezultatin 2-0, është mbyllur java e 14-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Flamurtari ka regjistruar kështu fitoren e parë pas 8 javësh në Kategorinë Superiore dhe njëkohësisht të parën për italianin Ramela, si trajneri i skuadrës vlonjate.
Pas një 45-minutëshi të parë të vakët, vlonjatët kaluan në epërsi me fillimin e pjesës së dytë. Mendez përfitoi nga një rrëmujë në zonën e skuadrës mike dhe shënoi golin e tij të parë me fanellën e Flamurtarit. Pas këtij momenti, loja u bë më e hapur, pasi të dyja skuadrat kërkuan t’i shënonin njëra-tjetrës. Por vlonjatët u treguan më të saktë, duke shënuar dhe golin e dytë me Abilaliajn dhe duke vulosur fitoren e 4-t gjatë këtij sezoni.
Tashmë ekipi i drejtuar nga italiani Ramela ngjitet në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Elbasani vazhdon të mbetet në vendin e fundit në renditje. Kategoria Superiore i ka luajtur të dielën pasdite dy prej ndeshjeve të javës së saj të 14-të dhe Tirana është ndalur në një barazim pa gola në kryeqytet përballë Laçit, ndërsa në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Kukësi ka mundur minimalisht Skënderbeun.
Në takimin që u luajt në mbrëmje, Teuta u mund minimalisht në Durrës nga Partizani, që merr kështu kreun e renditjes me 30 pikë. Kategoria Superiore e ka nisur të shtunën javën e saj të 14-të dhe në takimin e zhvilluar në Fier, Vllaznia ka korrur një fitore minimale, por mjaft të vyer, ndaj Apolonisë vendase, falë një goli të realizuar nga Soza në minutën shtesë të pjesës së parë.
Pas javës së 14-të, Partizani është ngjitur në krye të renditjes me 30 pikë, një më tepër sesa rivalja kryeqytetase, Tirana, dy më tepër sesa nënkampionia e sezonit të shkuar, Kukësi, dhe 3 më tepër sesa kampionia në fuqi, Skënderbeu.
Kategoria Superiore
Java e 14-të
Të shtunën:
APOLONIA – VLLAZNIA 0-1
Shënues: Soza 45+1′
Stadiumi “Loni Papuçiu”, Vlorë
Të dielën:
TIRANA – LAÇI 0-0
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
KUKËSI – SKËNDERBEU 1-0
Shënues: E. Dushku 47’
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës
TEUTA – PARTIZANI 0-1
Shënues: Osmanaj 68’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Të hënën:
FLAMURTARI – ELBASANI 2-0
Shënues: Mendez 47’, Abilaliaj 81’
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 14 9 3 2 13-5 30
- Tirana 14 8 5 1 18-7 29
- Kukesi 14 9 1 4 16-10 28
- Skënderbeu 14 8 3 3 21-5 27
- Laçi 14 5 5 4 15-10 20
- Flamurtari 14 4 6 4 12-9 15
- Vllaznia 14 5 2 7 10-15 14
- Teuta 14 4 1 9 11-16 13
- Apolonia 14 2 2 10 4-26 8
- Elbasani 14 2 0 12 8-25 6