AlbanianSport.com 09.08.2015 13:10
ASNN – Trajneri Stanislav Levi këmbëngul për afrimin e një lojtari cilësor për sulmin. Pritet një sulmues, të cilin ai e njeh mirë. Afrimi i një lojtari kroat dhe një sulmuesi, i cili është pjesë e Kombëtares së Gjeorgjisë ende nuk është bërë realitet. Këta lojtarë pritet nga dita në ditë të jenë pranë kampingut të Flamurtarit në Slloveni, por mësohet se nuk janë vetëm ata që priten.
Trajneri Stanislav Levi dhe stafi i tij kërkojnë patjetër që të kenë në skuadrën e tyre edhe një sulmues me vlera. Dhe do të jetë pikërisht trajneri çek i Flamurtarit, që do të vendosë për sulmuesin, i cili do të veshë fanellën kuqezi. Sipas të gjitha gjasave, bëhet fjalë për një lojtar, që ish-trajneri i Skënderbeut, tashmë i vlonjatëve, e njeh mirë dhe ka besim në aftësitë e tij.
Stafi teknik i skuadrës bregdetare vazhdon të ngulmojë për të tjera përforcime, ku më kryesorja do të jetë në sulm. Madje, kjo lëvizje kërkohet të bëhet sa më shpejt nga ana e vlonjatëve, pasi kampionati po afron dhe formacioni duhet të jetë plotësisht i konsoliduar. Por, duket se për zyrtarizimin e emrit të ri të sulmit të Flamurtarit duhet pritur ende.
Kjo, pasi edhe vëmendja në këtë moment është e përqendruar në zgjidhjen e problemit të borxheve që ka klubi. Deri tani drejtuesit e klubit kuqezi kanë bërë afrime cilësore në mbrojtje dhe në mesfushë, ndërsa për sulmin ende nuk kanë bërë një goditje të madhe.