AlbanianSport.com 18/01/2019 17:10
ASNN – Memushaj komenton krizën e Flamurtarit: “Situatë e papranueshme, i gjithë futbolli shqiptar është në krizë”. Ish-trajneri i Kombëtares së grupmoshës së Nën 15-vjeçarëve, Eqerem Memushaj, është shprehur kritik për mënyrën se si po zhvillohen ngjarjet në Vlorë, atje ku Flamurtari është zhytur i tëri në krizë serioze. Shkak duket të jetë një ngërç midis administratorit Sinan Idrizi dhe Bashkisë së Vlorës.
“Ai që e pëson është Flamurtari dhe mendoj që duhet të bëhet mbledhje urgjente mes Kryetarit të Bashkisë dhe administratorit Idrizi në Vlorë, – shprehet Memushaj për “RTSH Sport”, i bindur se situata nuk është aspak e mirë. – Nëse në të gjithë pretendojmë për atë Flamurtar që ishte krenaria jo e Vlorës, por e gjithë Shqipërisë, mundësitë janë për ta zgjidhur.”
“Është viti i 5-të dhe nga këto kompani pjesa më e madhe e lekëve ka ardhur dhe lojtarët janë paguar, ky ngërç është mes kryetrarit dhe z. Idrizi, – vijoi më tej ai. – Diskutohet profesionalizmi por nuk e mendoj, këta çuna mos t’i paragjykojmë që nuk ndjejnë peshën e fanellës. Nëse arrijnë të luajnë si në dy fazat e para, ekipi ka pasur oshilacione, por ka qenë një ekip që të bindte që mund të shkonte më lart.”
Në fund ai beson se situatën mund ta zgjidhë administrator Idrizi, të paktën deri në qershor kur të mbyllet sezoni. “Në këtë periudhë 3-vjeçare që Flamurtari ka ngecur, – thotë vlonjat, – në këto momente Idrizi duhet të ndihmojë skuadrën, të japë çfarë të mundet dhe në fund të sezonit ta zgjidhe njëherë e mirë se nuk mund të vazhdojë kështu. Futbolli shqiptar është në krizë totale.”