AlbanianSport.com 30.05.2016 18:45
ASNN – Flamurtari prezanton zyrtarisht trajnerin e ri Gugash Magani, i cili rikthehet në stolin e klubit vlonjat pas 5 vitesh, por tanimë në trajtën e një trajneri të tipit anglez, pra “menaxher”. Në një konferencë për shtyp, trajneri u shfaq së bashku me presidentin e klubit Sinan Idrizi, i cili deklaroi se Magani nuk do të jetë thjesht trajner i skuadrës, por do të bëjë edhe rolin e menaxherit.
Ndërkohë, trajneri Magani nuk ngurroi të falënderonte presidentin Sinani për mundësinë që i dha për të marrë sërish drejtimin e një skuadre si Flamurtari, teksa shtoi se objektivat e tij janë vlerësimi i fanellës dhe fitorja e çdo ndeshjeje. Në të njëjtën kohë, Flamurtari prezantoi edhe ndihmësin e Maganit në stol, Klodian Dervishin, si dhe blerjen më të re të tyre, Astrit Fazlliun.
Emërimi i i Maganit trajner i Flamurtarit sipas Idrizit shënon një nisje të re për klubin kuqezi, pasi nga organika që mbylli sezon do të qëndrojnë vetëm disa elementë. Sinan Idrizi foli për një projekt të ri te Flamurtari, ku nuk do të ketë më “plazhistë”, por luftëtarë që e respektojnë fanellën kuqezi. Magani do të nisë menjëherë punën për ndërtimin e një skuadre dinjitoze që nuk do të luftojë më për mbijetesë, por për trofe.