AlbanianSport.com 06.03.2015 21:15
ASNN – Prokuroria e Vlorës do të hetojë ndeshjen e javës së 25-të të Kategorisë Superiore, Partizani-Flamurtari. Ashtu siç kishte paralajmëruar, klubi vlonjat ka depozituar mesditën e së premtes denoncimin që është pranuar nga organi i akuzës në qytetin bregdetar.
Flamurtari dyshon se sfida e së mërkurës u shit nga disa prej lojtarëve të tij, ndërsa akuzat e para erdhën nga vetë presidenti Sinan Idrizi menjëherë pas ndeshjes. Të kontaktuar nga “ABC News”, në prokurorinë e Vlorës shprehen se për këtë hetim do të ketë të reja duke nisur nga java e ardhshme.
Në të njëjtën kohë, prokuroria e Vlorës po heton edhe ndeshjen Flamurtari-Teuta. Kësjhtu, Prokuroria e Vlorës ka marrë në shqyrtim denoncimin e Klubit të Futbollit “Flamurtari” për të hetuar ndeshjen me Partizanin. Dyshimet për manipulim të rezultatit janë ngritur nga drejtuesit e klubit vlonjat pas humbjes 1-2 në përballjen e javës së 25-të të Kategorisë Superiore.
Pritet që vetëm nga java e ardhshme të ketë të dhëna për hetimet. Vetë administratori Sinan Idrizi ka akuzuar lojtarët për njollosje të fanelës të ekipit, ndërsa protesta pati edhe nga tifozeria. Vendimi për denoncimimin e këtij takimi është marrë nga Bordi Drejtues i klubit.
Kjo është ndeshja i dytë që prokuroria do të hetojë, pas përballjes së javës së 19, Flamurtari-Teuta. Njëkohësisht është vënë në dijeni edhe Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndjekur këtë çështje, por burime pranë FSHF-së kanë pohuar për AlbanianSport.com se ende nuk kanë shkresë zyrtare nga Flamurtari.