AlbanianSport.com 17.02.2017 09:35
ASNN – Eliminimi në Kupën e Shqipërisë, e për më tepër përballë një kundërshtari nga Kategoria e Parë, por edhe një sezon me luhatje duket janë bërë shumë. Dhe Shpëtim Duro është tanimë trajneri i ri i Flamurtarit.
57-vjeçari kryeqytetas është takuar me presidentin e klubit vlonjat për të marrë këtë detyrë në vend të Gentian Mezanit. Kjo lëvizje u bë menjëherë pas eliminimit të klubit vlonjat nga Besëlidhja në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Vlonjatët u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 1-2, pasi e humbën me këto shifra ndeshjen e parë në fushën e vet me këto shifra, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Lezhë nuk shkuan dot më larg se një barazim pa gola.
Shpëtim Duro i rikthehet rolit të trajnerit të një klubi pas më shumë se një viti pushim. Herën e fundit, ai drejtoi stolin e Shkëndijës së Tetovës, skuadër të cilën e kishte drejtuar edhe në sezonin 2013/2014.
Shpëtim Duro do të nisë aventurën e tij në stolin e Flamurtarit me ndeshjen ndaj Teutës që do të luhet ditën e diel. Pas 21 javëve kampionat, Flamurtari është në vendin e 7 në klasifikim me 20 pikë po aq sa edhe Teuta dhe Laçi.
Dhe si objektiv të vetëm tashmë duket se Flamurtari ka mbijetesën në Kategorinë Superiore.