AlbanianSport.com 23/09/2021 21:40
ASNN – Para ndeshjes së të mërkurën me Apoloninë, vlonjatëve u hapet “drita jeshile”. Duket se Flamurtari po shikon “dritë në fund të tunelit”, pasi, në një kohë që është duke vuajtur prej “Covid-19”-ës, teksa 4 lojtarë raportohen të infektuar, ekipi vlonjat ka marrë një lajm të mirë. Në orën 13:00 të së mërkurës, FIFA u ka zhbllokuar zyrtarisht merkaton.
Kjo u ka dhënë të drejtën vlonjatëve që të federojnë të gjitha blerjet e bëra gjatë verës dhe rrjedhimisht t’i përfshijnë në formacionin e takimit të parë në shtëpi ndaj Apolonisë, të vlefshëm për turin e 32-shes së Kupës së Shqipërisë. Dhe trajneri Dritan Resuli aktivizoi si titullarë Gocajn, Liçajn, Pjeshkën, Ramadanin dhe Oliverën, ndërsa nga stoli mori minuta Sallaku.
Në fakt, një javë më parë ishte raportuar se Flamurtari nuk ka humbur më kohë, duke iu përgjigjur ultimatumit të FIFA-s dhe duke shlyer detyrimin ndaj Adis Nurkoviçit. Madje, duke qenë se llogaritë e klubit janë të bllokuara, administratori Sinan Idrizi e ka bërë pagesën nga ajo personale. Në llogarinë bankare të avokatit të boshnjakut, kreu i klubit ka depozituar 17 mijë e 150 euro.
Shumë kjo për të cilën ka ardhur edhe ultimatum nga organizmi që qeveris futbollin botëror. Klubi vlonjat pretendon se ka shlyer çdo detyrim ndaj ish-portierit, duke i dhënë paradhënie edhe 7,500 euro plus pagesave të tjera të realizuara gjatë sezonit. Ndërkohë, Administratori Idrizi ka konfirmuar se i është drejtuar prokurorisë si dhe ka komunikuar me FSHF-në, ndërsa ashtu sikundër pritej, merkatoja është zhbllokuar, pasi ka marrë përgjigje pozitive nga FIFA.