AlbanianSport.com 08/12/2018 19:20
ASNN – Në takimin që uli siparin e javës së 9-të të Grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, Flamurtari fiton thellësisht 95-62 ndaj Vllaznise, në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë, duke u ngjitur në vendin e 3-të në renditje, pozicion që mbahej pikërisht nga skuadra shkodrane.
Ekipi vlonjat tregoi me fitoren e thellë se humbja në Shkodër në fazën e parë ishte thjesht një aksident, në një ndeshje ku polemikat kanë qenë të shumta. Flamurtari i basketbollit për femra merr kështu një pozicion, si vendi i tretë, duke synuar minimalisht që deri në fund të sezonit të rregullt të renditet në vend të dytë.
Ndeshja nuk ka patur shumë histori, pasi Flamurtari e ka dominuar nga fillimi deri në fund takimin. Gjysma e parë është mbyllur me shifrat 49-33, ndërsa dominimi i skuadrës vlonjate ka vijuar edhe gjatë pjesës së dytë. Flamurtari ka tentuar vazhdimisht ta thellojë rezultatin dhe ia ka arritur qëllimit, duke fituar në fund me plot 33 pikë diferencë.
Deri në përfundim të sezonit të rregullt, Flamurtari pritet të bëjë sërish përforcime në skuadër, ndërsa pritet edhe rikthimi i Myrtos, por edhe i Lalës në skuadër, për të synuar deri në fund titullin “kampion”. Të premten SH.K.B.F. Tirana vijon rrugën e saj të fitoreve të pandërprera, duke qenë padyshim skuadra favorite për titullin këtë edicion.
Skuadra që drejtohet nga trajneri Erdal Borova, mundi të premten Elbasanin, me rezultatin 96-73. Kurse të enjten u luajt ndeshja SH.B.F.Tirana-Studenti, një derbi i fituar nga vajzat e trajneres Mirza Alibegaj, me rezultatin 93-46.
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp +/- Pikë
- SH.K.B.F. Tirana 9 9 0 792-591 201 18
- SH.B.F. Tirana 9 6 3 722-553 169 15
- Flamurtari 9 6 3 681-591 90 15
- Vllaznia 9 5 4 605-642 -37 14
- Studenti 9 1 8 536-720 -184 10
- Elbasani 9 0 9 566-805 -239 9