AlbanianSport.com 06.01.2017 14:25
ASNN – Sadokudo, një “stekë e vjetër” është gjithmonë një ndihmë e madhe për një trajner të ri. Kështu ka ndodhur tek Flamurtari, i cili ka nisur merkaton e dimrit me afrimin e një emri të madh. Bëhet fjalë për Petraq Bifshën, i cili është emëruar zëvendëstrajner i kuqezinjve, në rolin e krahut të djathtë të trajnerit të ri, Gentjan Mezani, i cili është konfirmuar në krye të stolit.
Plotësimi i stafit teknik me vendin e mbetur vakant tashmë i hap rrugë edhe përforcimeve në skuadër. Për t’u kompletuar është mbi të gjitha reparti i mbrojtjes, pas largimeve dy të konfirmuara të Slavko Lukiç dhe Nertil Hoxhës. Mbrojtësi serb ndërpreu bashkëpunimin disa javë më parë me klubin, pas vetëm 5 ndeshjeve të luajtura në dy fazat e para të kampionatit.
I njëjtë edhe fati i mbrojtësit të majtë, Hoxha, i transferuar në Vlorë gjatë verës nga Akademia e Partizanit. 20-vjeçari koleksionoi vetëm 66 minuta lojë në 3 ndeshje ku është aktivizuar nga stoli. Mbetet çështje orësh rikthimi i mesfushorit kroat Ivan Galiç, i cili ka qenë një pjesë e rëndësishme e kontingjentit me 17 ndeshje të luajtura dhe tre gola të shënuar.
Ndërkohë, pjesë e kuqezinjve do të mbetet edhe Radovic, pavarësisht se mesfushori malazez do ti nënshtrohet operacionit në gju. E ndërsa grupi pritet të plotësohet gjatë merkatos së janarit, Flamurtari do të vijojë përgatitjet me mini-fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, që do të nisë më datë 7 janar, për të vijuar për 10 ditë, deri më 17 janar 2017.