AlbanianSport.com 29/10/2018 16:20
ASNN – Sulmuesi ishte “zhdukur” në fazën e parë, në Vlorë gjejnë më në fund Danilo Alveshin. Flamurtari u ndal në një barazim 1-1 mjaft të kontestuar me Teutën, në një takim të luajtur të shtunën në Vlorë. Të dyja skuadrat morën nga një pikë e në fund mbetën të pakënaqur vlonjatët që shpresonin shumë për fitore. Gjyqtarët morën kritika të shumta, pavarësisht se të dyja skuadrat kishin pretendimet e tyre për rastet e debatueshme.
Por, pas një objektivi të munguar ka gjithmonë një lajm të mirë dhe për Flamurtarin lajmi i mirë është kthimi i sulmuesit Danilo Alvesh. I akuzuar se nuk stërvitet mjaftueshëm dhe se është mbipeshë, gjë që është e dukshme dhe në pamje të jashtme, braziliani më në fund kthehet t’i dhurojë gola ekipit kuqezi. Dy gola në dy ndeshjet e fundit i kanë dhënë Flamurtarit katër pikë. Kjo pasi Alvesh shënoi golin e fitores me Tiranën dhe në fundjavën që lamë pas i shënoi gol edhe Teutës.
Pra Danilo Alvesh është rikthyer pas një “zhdukjeje” dymujore. Kishte një fazë gare që nuk jepte asgjë për ekipin dhe në Vlorë kishin nisur ta fërshëllenin dhe “ta gjuanin me gurë”. Goli me Tiranën e çliroi nga ana psikologjike, kurse ai me Teutën mund të thuhet se ka vijimësi. Tani të gjithë presin shpërthimin e brazilianit në kampionat. Fakti që luan si “elektron i lirë” në fushë mund të jetë një besim që i ka dhënë trajneri Ilir Daja për të operuar në ata sektorë të fushës ku ai ndihet komod.
Tani vlonjatët mund të kenë besim se Alvesh do të ruajë qëndrueshmëri në realizime, për të mos vijuar dhe këtë fazë me zhgënjimet e së parës. Dy golat e tij në dy ndeshjet e fundit janë dëshmi se gjërat po ndryshojnë pozitivisht për të dhe për skuadrën e Flamurtarit.