Gjergj Vyshka 18.12.2015 14:20
Tashmë duket se është bërë e zakonshme që themeluesi i “Sport Ekspresit” dhe ish-kryeredaktori i saj nga 1996 deri më 2012-ën, Fatmir Mëneri, t’i mbledhë miqtë e tij për promovime dokumentarësh e librash. Pasi ka ardhur më 2012-ën me dokumentarin për Refik Resmen e në janar 2015 me dokumentarin e Ali Memës, më 5 tetor do të vinte me librin për të atin “Xhavit Demneri gjithkushi”.
Por nuk është ndalur këtu, sepse ka qenë një këmbëngulje e kahershme e Agron Sejaminit, redaktorit të librave të tij, për të mbledhur të gjitha editorialet që kanë mbajtur gjallë “Sport Ekspresin” për tërheqjen tek lexuesi. Janë plot 1427 shkrime të botuara në “Sport Ekspres” e prej tyre janë zgjedhur 320 perla, i fundit më 19 shtator 2012 vetëm pesë ditë përpara se ta largonin prej asaj që ai e quan ende “foshnje” të tij.
“Fjalëgol” është titulluar libri, që dje është promovuar në ambientet e Universitetit të Sporteve në Tiranë, edhe sepse Mëneri është pedagog i jashtë për lënden e komunikimit publik dhe të medias. Dhe dje ka mbledhur shumë miq, jo vetëm pedagog e figura të sportit shqiptar, por dhe Bujar Leskajn që është Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe Sadi Vorpsin prefektin e Tiranës.
Në fjalën e tij dekani i Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, Prof.Dr Agron Kasa, jo vetëm që e ka cilësuar me vlera librin në fjalë, që do të jetë pjesë e bibliotekës së Universitetit, por duke pasur Mënerin pedagog të jashtëm është duke u menduar hapja e një masteri profesional për gazetarinë sportive. Pse jo dhe krijimi i këtij fakulteti në këtë Universitet.
Për librin kanë ardhur përshëndetjet edhe nga Ismet Bellova e Përparim Kabo. E në fund fjala e autorit. “Më duhet të falënderoj redaktorin e këtij libri, Agron Sejaminin, por dhe mikun tim Tan Shyti për mbështetjen. Mendoj se i kam dhënë diçka lexuesit, ndërsa janë një pjesë e mirë e shkrimeve të mia në Sport Ekspres”, ka thënë Mëneri, i cili më pas librat e tij i ka shpërndarë autograf.
Ndoshta duke i pëshpëritur vetes mund të ketë thënë edhe “boll!”. Por duhet pritur, pasi “Fjalëgol” duhet pasuar edhe nga të tjerë prej Fatmir Mëneri, që ka se çfarë t’i japë lexuesit sportiv…