AlbanianSport.com 02.12.2016 13:45
ASNN – Në pritje që Federata Amerikanolatine e Futbollit (CONMEBOL) të zyrtarizojë vendimin për t’ia dhënë trofeun klubit që u shua në tragjedinë ajrore të Medelinit, ekipi Indipendiente Sata Fe, që është kampionia në fuqi e kësaj veprimtarie, ia ka dorëzuar trofeun e fituar sezonin e shkuar drejtuesve të mbetur të klubit brazilian.
Ndërkohë Federata Amerikano-Jugore e Futbollit e ka miratuar kërkesën e finalistes tjetër të këtij sezoni, Atletiko Nacional, për t’ia dhënë trofeun e “Copa Sudamericana” skuadrës së Shapekoenses. CONMEBOL-i e ka pranuar në parim kërkesën, ndërsa trofeu do të dorëzohet zyrtarisht pas mbledhjes së Këshillit Drejtues në 21 dhjetor.
Klubi nga Medelini ka bërë me dije publikisht se do ta luajë finalen por do të humbasë në fushën e lojës. Në çdo rast, trofeu do të shkojë në shtëpinë e skuadrës braziliane dhe kjo garanton më shumë të ardhura për klubin momentalisht në krizë pasi sezonin e ardhshëm, Shapekoense do të marrë pjesë ne Kupën “Libertadores”.