AlbanianSport.com 29.09.2014 16:15
Nis edhe e Dyta, derbi i Vjosës prodhon gola dhe shfryrje inatesh. Ndërhyn presidenti i miqve, Gjergji Petro, që ka premtuar dëmshpërblim. Ndeshja mes Tepelenës dhe Përmeti ka nisur me 15 minuta vonesë për shkak të mungesës së forcave të rendit, të cilët kanë ardhur me vonesë. Madje mungonte numri i plotë i forcave të rendit, ndaj dhe kryesor Gentian Nora e ka nisur me vonesë këtë ndeshje, sepse nuk ishte i bindur për sigurinë e takimit. Dhe për këtë arsye, shefi i Komisariatit të Policisë Tepelenë ka sjellë forca shtesë që ndeshja të niste normalisht.
Përmetarët kishin ardhur me objektivin për të marrë një rezultat pozitiv dhe në minutën e 4-t, Qamo, i lirë përballë Sundës mund të kishte shënuar. Menjëherë del në dritë goli i epërsisë për Tepelenën, që ka për autor Xhafën, i cili ka shënuar me një gjuajtje nga distanca 16 metra. Përmetarët nuk dorëzohen, ndërsa kanë barazuar me Herkon në të 17-n minutë. Por është kundërpërgjigjur Tepelena, e cila me Karamanin në të 20-n dhe përsëri me Xhafën në të 35-n minutë ka thelluar shifrat në 3-1. Tek miqtë ka dhe protesta ndaj gjykimit.
Madje është larguar nga pankina Sekretari i klubit të Përmetit, Ilir Jasimi, që është shoqëruar nga policia jashtë stadiumit. Në pjesën e dytë Përmeti, falë ndërrimeve të kryera nga trajneri Hajredini, ka përmirësuar lojën dhe me golat e Herkos e Shakollarit ka barazuar në 3-3. Loja ashpërsohet, ndërsa Nora ka nxjerrë disa herë kartonin e verdhë, por dhe të kuqin. E kur mendohej se do të dilte barazim ndeshja, Tepelena ka fituar një 11-metërsh, që është kontestuar nga përmetarët. Përmetarët kanë lënë fushën e lojës, kurse ndërhyrja e presidentit Petro dhe trajnerit Hajderini i ka kthyer në fushë.
Është gjuajtur 11-metërshi, që është kthyer nga gol nga Karamani. Dhe në fund 4-3 për Tepelenën, që ka marrë një fitore të vuajtur. Megjithatë, humbja në minutat e fundit, por dhe 11-metërshi ka sjellë nervozizëm tek Përmeti, lojtarët e të cilit kanë goditur me shkelma derën e dhomës së zhveshjes, duke e hedhur në tokë atë. Në këtë moment është irrituar trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Por ardhja e presidentit të Përmetit, Gjergji Petro, ka qetësuar gjithçka, teksa ka premtuar dëmshpërblim. “Do ta paguaj unë nga xhepi derën e thyer”, – ka thënë Petro, kurse kështu është mbyllur ky debat në korridoret e stadiumit “Sabaudin Shehu”.
Tepelena – Përmeti 4-3
Shënues: Xhafa 5’, 35’, Karamani 20’, 85’(11-m.) /
Herko 17’, 65’, Shakollari 75’
Tepelena: Sunda, Qori, Sako (Shehaj 70’), Abazi, Burhani, Jaupi, Karamani, Sulaj, Mirani, Xhafa, Rustemi. Trajner: I. Selimi
Përmeti: Mihali, Xhaka, Shina (Dine 60’), Qamo, Metushi, Shakollari, Shele, Marku (Canaj 67’), Duro, Mato, Herko (Çako 87’). Trajner: B. Hajredini
Gjyqtarë: G. Nora, G. Aliko, E. Nelaj (Gjirokastër)
Kartonë të verdhë: Qori (2), Rustemi / Mihali (2), Xhaka, Dine, Qamo, Canaj, Herko
Kartonë të kuq: Qori / Mihali
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java e parë
(28 shtator 2014)
Këlcyra – Gramozi 1-0
Egnatia – Bilisht Sporti 2-0
Tepelena – Përmeti 4-3
Gramshi – Delvina 1-0
Himara – Memaliaj 4-2
Turbina – Orikumi 3-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Turbina 1 1 0 0 3-0 3
- Himara 1 1 0 0 4-2 3
- Egnatia 1 1 0 0 2-0 3
- Tepelena 1 1 0 0 4-3 3
- Gramshi 1 1 0 0 1-0 3
- Këlcyra 1 1 0 0 1-0 3
- Përmeti 1 0 0 1 3-4 0
- Delvina 1 0 0 1 0-1 0
- Gramozi 1 0 0 1 0-1 0
- Memaliaj 1 0 0 1 2-4 0
- Bilisht Sporti 1 0 0 1 0-2 0
- Orikumi 1 0 0 1 0-3 0