AlbanianSport.com 13/10/2018 12:30
ASNN – Futbolli durrsak është në zi pasi sot ka përcjellë për në banesën e fundit një mjeshtër të shquar si Filip Xhai. Një ikonë e Teutës nuk jeton më. Ish-lojtari dhe trajneri tek durrsakët u nda dje nga jeta. “Me hidhërim ju njoftojmë se është ndarë nga jeta i madhi Filip Xhai, – njoftoi Klubi i Futbollit “Teuta”. – Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjarët nga ana e klubit Teuta.”
“Do të mbetet i paharruar ndër breza kujtimi dhe kontributi i tij në tërë këto vite, – vijon klubi durrsak. – Me respekt dhe nostalgji do rikujtohet në çdo fushë të gjelbër ku mësimet e tij vazhdojnë të vihen në praktikë nga brezat e rritur prej profesor Filipit. I paharruar qoftë kujtimi tij!” Ndërkaq, edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka përcjellë ngushëllimet e saj.
“FSHF ndjen keqardhje për këtë lajm të hidhur dhe është pranë familjarëve të të ndjerit si dhe tërë komunitetit të madh futbolldashës së Durrësit, – shkruan organizmi që qeveris futbollin në Shqipëri. – Filip Xhai ka qenë një futbollist që punoi fort bashkë me brezin e lojtarëve të mirë të vitëve 1955-1970 të “Lokomotivës” së dikurshme (sot Teuta) për të ridimensionuar vlerat e traditat më të mira të futbollit në qytetin bregdetar.”
Pas lënies së karrierës ka punuar shumë vite në detyrën e trajnerit. kryesisht për moshat e reja nga 11-19 vjeç. Për shumë vite me radhë është përkujdesur në Durrës për talentetet e reja, afirmimin e tyre jo vetëm te Teuta por edhe në ekipet Kombëtare të grupmoshave dhe Kombëtaren e madhe kuqezi të Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes se mjeshtrit durrësak Filip Xhai.”