AlbanianSport.com 05.01.2017 07:05
ASNN – Ngandonjëherë, thonë se “më mirë syri, sesa nami”. Dhe kjo është plotësisht e vërtetë në rastin e futbollit në Serbi, ku përtej faktit se nuk kanë munguar rezultatet, gjendja në tërësi ka lënë shumë për të dëshiruar.
Dhe Këshilla e Shoqatës së Lojtarëve Profesionistë të Futbollit (FIFPro), e motivuar nga mosrespektimi i të drejtave të futbollistëve në vendin ballkanik, është e thjeshtë: “Mund të shkoni të luani kudo, por jo në Serbi!”
Ky institucion ka zbuluar se 68% e lojtarëve në Serbi janë paguar me vonesë, ndërsa 90% të atyre që kanë ngritur zërin për këtë problem u është bërë presion që të largohen nga Serbia. Madje, situata po përkeqësohet nga viti në vit.
Dhe sikur të mos mjaftonin këto statistika, Federata Serbe e Futbollit ka larguar përfaqësuesit e lojtarëve nga organizimi i cili do të zgjidhte konfliktet mes futbollistëve dhe klubeve, duke emëruar në krye të këtij institucioni juridik dy persona me lidhje të ngushta me dy klubet kryesore në Serbi.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë, Theo van Segelen i ka kërkuar Federatës Serbe të Futbollit që të heqë dorë nga vendime të tilla, duke i përkufizuar si shkelje flagrante të të drejtave themelore të futbollistëve profesionistë.