AlbanianSport.com 21.10.2015 19:40
ASNN – Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka konfirmuar se zgjedhjet për presidentin e ri të organizmit që qeveris futbollin botëror do të mbahen në një kongres të veçantë, që do të zhvillohet më 26 shkurt të 2016-ës.
Në këtë Kongres do të zgjidhet kështu njeriu që do të zëvendësojë në detyrë Sep Blaterin, zviceranin që është president i FIFA-s që nga viti 1998. Megjithatë, çështja e zgjedhjeve dhe e kandidaturave është ndërlikuar mjaft gjatë këtyre javëve të fundit.
Vetë 79-vjeçari Blater dhe zëvendëspresidenti i FIFA-s dhe, njëkohësisht presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, janë pezulluar për 90 ditë nga Komisioni i Etikës i organizmit që qeveris futbollin botëror.
Dy drejtuesit e organizmave ndërkombëtarë akuzohen për korrupsion, akuzë të cilën asnjeri prej tyre nuk i ka pranuar. Kandidaturat kryesore që janë shpallur janë ato të Platinisë dhe Princit jordanez, Ali bin al-Husein.