AlbanianSport.com 10.02.2015 17:25
ASNN – Janë zyrtarizuar 3 rivalët për të larguar Sep Blaterin nga posti i presidentit të FIFA-s. Organizmi që qeveris futbollin botëror ka zyrtarizuar kandidatët që më 29 maj do të kërkojnë të marrin drejtimin e një prej organizatave më të mëdha të sportit më popullor në botë. Përveç Blaterin, në garë janë Luis Figo, Ali Bin Al-Husieni dhe Mikael Van Prag.
Gjithsesi, zviceriani vazhdon të jetë favorit për të fituar edhe mandatin e 5-të radhazi në krye të FIFA-s. Blateri u zgjodh president në vitin 1998 dhe që nga ajo kohë u ka rezistuar kritikave, por edhe skandaleve që kanë tronditur jo pak vitet e fundit institucionin që ai drejton. Por edhe këtë herë, ai pritet të kalojë akuzat për korrupsion të disa prej anëtarëve më të lartë të FIFA-s.
Kjo pasi shihet si pretendent për të fituar sërish një tjetër mandat. Kjo konfirmohet edhe nga tërheqja nga gara e presidentit aktual të UEFA-s, Mishel Platini, i cili shihej një kandidat potencial për larguar Blater nga FIFA. Ndërkohë, mes 3 rivalëve të Blaterit të cilët kanë arritur të marrin votat e 5 federatave për të kandiduar, me më shumë influencë është Princi i Jordanisë, Al Husein.
Aktualisht, ai është president i Konfederatës Aziatike të Futbollit. Dy emrat e tjetër, portugezi Figo, si një prej ish-futbollistëve më të mirë të dhjetëvjeçarëve të fundit dhe Van Prag, si President i Federatës Holandeze të Futbollit do të luajnë shanset e tyre, por sipas parashikimeve përballen me një mision të pamundur për t’i marrë postin Sep Blaterit.