AlbanianSport.com 25.09.2015 21:45
ASNN – E ardhmja e afërt e Sep Blaterit në krye të organizmit që qeveris futbollin botëror tashmë varet në fije të perit, pasi Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, ka çelur zyrtarisht procedimin penal kundër presidentit të FIFA-s. Ky vendim, i bërë i ditur nga një deklaratë e lëshuar nga zyra e Kryeprokurorit helmet, Mikael Lauber, e ka zhytur FIFA-n më tepër në krizë, pasi erdhi pak pas mbylljes së një takimi dyditor të Komitetit të saj Ekzekutiv.
Për më tepër, lajmi për nisjen e procedimeve penale, çoi në anullimin në 10 minutat e fundit, të një konference të planifikuar për shtyp ku Sep Blateri supozohej të fliste mbi çështjet e ditës. Zvicerani 79-vjeçar po hetohet jo vetëm, për shitjen e shumëdiskutuar të të drejtave televizive të Kampionatit Botëror tek ish-zëvendës-presidenti i FIFA-s, Xhek Uorner, por edhe për faktin se Blateri dyshohet “për një pagesë të pandershme prej 2 milionë frangash zvicerane në dobi të Mishel Platinisë”, francezit që është aktualisht president i UEFA-s.
Si Blateri, ashtu edhe Platinia u morën në pyetje pasdreke nga prokurorët zviceranë menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Komitetit Ekzekutiv. Përveç çështjes në fjalë, të dy zyrtarët përballen me mundësinë e përballjes në Komisionin e pavarur të Etikës në FIFA, dhe me pezullimin e tyre të menjëhershëm nga detyrat që mbajnë, në varësi të rezultatit të hetimeve të mëtejshme.