AlbanianSport.com 20/12/2018 19:20
ASNN – Kosova arriti të sigurojë vendin e parë në grupin e tretë të LIigës D, në kuadër të Ligës së Kombeve, një pozicion që jo vetëm e ngjit atë automatikisht në Ligën C, por njëherësh e fut në garën “play-off” për një vend në finalet e Kampionatit Europian të vitit 2020. Përfaqësuesja e Kosovës ka një ecuri të pabesueshme, pasi nuk humbet asnjë ndeshje që prej tetorit të vitit 2017 dhe në të gjitha takimet e luajtura, ka siguruar 7 fitore dhe 2 barazime, duke qenë përfaqësuesja me ecurinë më të mirë jo vetën në Ligën e Kombeve, por njëherësh dhe skuadra që shënoi më shumë në këtë veprimtari.
Së fundmi, vjen një tjetër vlerësim serioz nga vetë qeveria botërore e futbollit, FIFA, e cila e ka radhitur skuadrën e Kosovës si një prej më të suksesshmeve të vitit 2018, sipas saj skuadra me ngjitjen më të madhe në ranglistën e këtij viti. Kështu, përfaqësuesja e dytë shqiptare në rajon, Kosova, ka përmirësuar 46 vende në klasifikimin e FIFA-s për ekipet kombëtare, duke e nisur nga vendi i 177-të, për të zënë aktualisht vendin e 133-të me 113 pikë të grumbulluara. Një kapërcim i tillë spektakolar, vlerësohet nga FIFA si më i shpejti dhe njëherësh ndër më të bujshmit ndër vite.
Kosova e nisi nga fundi, por po njeh suksese të mëdha. Që prej ardhjes në krye të skuadrës shqiptare të Kosovës të trajnerit zviceran Bernard Shalondë, ekipi nuk ka humbur asnjë takim. Natyrisht, përplasjet nuk kanë qenë me skuadrat më të forta të kontinentit, por sidoqoftë, Kosova ka ditur të marrë maksimumin nga ndeshjet e saj, duke bërë jehonë të madhe në shtypin sportiv ndërkombëtar. Madje media të rëndësishme e prestigjioze, kanë bërë reportazhe të shumta për ecurinë e skuadrës dhe njëherësh kualitetin dhe moshën shumë të re të përfaqësueses së Kosovës.
Kjo e fundit, krejt e kundërta nga kombëtarja kuqezi që zhgënjeu në Ligën Kombeve, i mbushi shqiptarët me krenari. Është fakt që Kosova ka në gjirin e saj shumë talente që luajnë me klube të njohura në Evropë dhe kjo i jep ekipit të Bernard Shalondë një vazhdimësi shpresëdhënëse.