AlbanianSport.com 26.02.2016 16:10
ASNN – Kanë nisur sot punimet e kongresit të jashtëzakonshëmtë FIFA-s, për zgjedhjen e presidentit të ri të këtij organizmi. Pasi kanë miratuar disa ndryshime në statut, delegatët kanë nisur votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të FIFA-s. Kanë mbetur 4 kandidatë, pasi afrikano-jugori Seksueill është tërhequr nga kandidimi. Në Zyrih të Zvicrës kanë nisur kështu punimet e Kongresit të jashtëzakonshëm të FIFA-s për të përcaktuar emrin e kreut të ri të këtij organizmi.
Fillimisht kongresi ka miratuar ndryshimin e disa pikave të statutit. Ata kanë vendosur uljen e kohës së qëndrimit në postin e presidentit, maksimumi deri në 12 vjet, ndarjen e funksioneve të politikave dhe menaxhimit të komisioneve të saj, publikimin e të ardhurave të presidentit të FIFA dhe drejtuesve të tjerë, rritjen e numrit të femrave në organet qeverisëse të futbollit në botë, me të paktën një grua të zgjedhur në Këshill nga çdo konfederatë.
Ndryshimet në statutin e FIFA-s hyjnë në fuqi 6 ditë pas përfundimit të punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm të tij. Pas përjashtimit përjetë nga bota e sportit e ish-presidentit të mëparshëm, Sep Blater, 4 kandidaturat kanë paraqitur në Zyrih platformat e tyre për t’u zgjedhur në krye të FIFA-s, pasi kandidati i 5-të, afrikano-jugori Tokio Seksueill, është tërhequr nga gara. Pasi kanë folur kandidatët, Sheiku Selman Al-Khalifa i Bahreinit, italiano-zvicerani Xhani Infantino, francezi Zherom Shampanjë dhe Princi i Jordanisë Ali bin Al-Husein, ka filluar votimi i 209 delegatëve për zgjedhjen e presidentit të ri të FIFA-s.
Tani ka përfunduar raundi i parë, i votimit dhe pritet të fillojë numërimi i votave. Nëse njëri nga kandidatët nuk ka fituar 2/3 e votave, atëherë të katër pretendentët kanë të drejtë të rikandidojnë sërish edhe në raundin e dytë.