AlbanianSport.com 22/10/2021 21:40
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se është njohur mbrëmjen e së premten me vendimin e marrë nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s, në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni 0-1, të luajtur më datë 12 tetor 2021 në Stadiumin “Arena Kombëtare”.
Organizmi që qeveris futbollin në vend sqaron se ky vendimi e ndëshkon Federatën e Futbollit me një gjobë prej 150 mijë frangash dhe detyron Kombëtaren kuqezi që të luajë ndeshjen e fundit të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Katar 2022” pa praninë e tifozëve.
FSHF-ja ka shprehur keqardhjen për këtë vendim të marrë dhe ka sqaruar se do të ndërmarë të gjithë masat e nevojshme që situata të tilla, të shkaktuara nga disa individë, mos të ndodhin më në të ardhmen dhe të mos dëmtojnë Kombëtaren tonë në paraqitjen e tyre ndërkombëtare.
Në mbyllje, Federata shton se do të vlerësojë mundësitë për ankimimin e vendimit brenda afateve të parashikuara.