AlbanianSport.com 12.02.2016 17:05
ASNN – Ish-Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, është përjashtuar për 12 vjetët e ardhshme nga çdo lloj aktiviteti që ka lidhje me futbollin, për shkak të abuzimeve, përfshirë pjesëmarrjen e tij në skandalin me biletat e Botërorit dhe përdorimin e avionit zyrtar për arsye personale.
Komiteti i Etikës në FIFA, i cili më parë e pati pezulluar ish-krahun e djathtë të presidentit Sep Blater, konfirmoi përjashtimin e Valkes, i cili u dënua edhe me një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane. “Kemi zbuluar se firma e marketingut e favorizuar nga Valke përfitoi nga abuzimi me shitjen e biletave të Botërorit”, – thuhet në deklaratën për shtyp të organizmit që qeveris futbollin botëror.
Në vijim, kjo deklaratë shtonte: “Valke jo vetëm që nuk tentoi t’i ndalë këto aktivitete, por ai inkurajoi të tjerët që të vazhdojnë ta bëjnë këtë punë”. Valke është zyrtari i tretë i futbollit botëror, pas presidentit të FIFA-s, Sep Blaterit, dhe atij të UEFA-s, Mishel Platini, që merr një dënim shumëvjeçar.