AlbanianSport.com 08.10.2015 21:45
ASNN – FIFA pezullon Blatterin, Platininë dhe Valken. Tronditja e gjatë e “tërmetit” të shkaktuar nga hetimet për korrupsion në radhët e FIFA-s, të ndërmarra si nga Prokuroria zvicerane, ashtu edhe nga ajo amerikane, ka bërë që këtë të enjte, 3 nga figurat më të shquara të organizmit më të lartë të futbollit botëror të pezullohen.
Ka qenë vetë FIFA që ka pezulluar Presidentin e saj në largim, Sep Blaterin, Sekretarin e Përgjithshëm, Zherome Valke, si dhe një nga zëvendëspresidentët, njëkohësisht edhe President të UEFA-s, Mishel Platininë, për një periudhë 90-ditore.
Po kështu, ish-zëvendëspresidenti Çung Mong-Xhun është përjashtuar për 6 vite. Ai është gjobitur edhe me 100 mijë franga zvicerane. Ndëshkimet e fundit janë dhënë nga Komiteti i Etikës së organit më të lartë drejtues të futbollit botëror.
Blater, Valke dhe Platini janë duke u hetuar nga ky komitet mbi akuzat për korrupsion ndaj tyre. “Bazat për këtë vendim janë hetimet që po zhvillohen ndaj tyre, prej hetuesve ndërkombëtarë por edhe nga Komiteti i Etikës”, – thuhet në një deklaratë të FIFA-s.
Të tre ata janë përjashtuar gjithashtu nga të gjitha aktivitetet futbollistike gjatë kësaj periudhe, edhe pse ata mohojnë të kenë kryer ndonjë shkelje.