AlbanianSport.com 02.06.2015 15:20
Qeveria botërore e futbollit, FIFA, është përpjekur dje, para dorëheqjes së presidentit të saj, të hedh dritë mbi një fakt interesant, duke deklaruar se është ish-shefi i financës dhe ish-krahu i djathtë i Sep Blater, Hulio Grondona, njeriu në qendër të skandalit për shkak të autorizimit të një pagese prej 10 milionë dollarësh. Grondona i cili ndërroi jetë vitin e shkuar në moshën 82-vjeçare ka qenë anëtar ekzekutiv i FIFA-s për 26 vjet, të cilin Blater e konsideroi një mik të madh pas vdekjes.
Në krahun tjetër, Departamenti Amerikan i Drejtësisë jep një variant tjetër, duke e vënë theksin te një skandal korrupsioni në vitin 2008 me dy ish-anëtarët Xhek Uorner e Çak Blejzër, të cilët kanë bërë një transferim prej 10 milionë dollarësh nga një bankë zvicerane në një bankë amerikane. “New York Times” raporton se autoritetet federale besojnë se Sekretari i Përgjithshëm, Zherom Valke, ishte njeriu që urdhëroi transferimin e shumës.
Por nga FIFA këmbëngulin se ishte pikërisht Grondona njeriu në mes të kësaj çështjeje. Sipas amerikanëve, Uorner dhe Blejzër lobuan që Botërori 2010 t’i caktohej Afrikës së Jugut për shkak të influencës që kishin mbi Konfederatën e Karaibeve, Amerikës Qendrore dhe asaj të Amerikës së Veriut. Një tjetër emër në shënjestër është edhe ish shefi i federatës braziliane, Rikardo Teiheira, i cili akuzohet, ndër të tjera, për pastrim parash me vlerë 120 milionë euro, çështja kjo që ka shkuar në gjykatë.