AlbanianSport.com 23.11.2016 19:55
ASNN – Duke nisur nga edicioni i ardhshëm, ai 2017-2018, gjyqtarët e Kosovës pritet të përfshihen në listat e FIFA-s për të drejtuar ndeshjet e futbollit në veprimtaritë evropiane, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur e Kosovës, “Koha Ditore”.
Organizmi që qeveris futbollin botëror i ka konfirmuar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se 4 gjyqtarët janë përfshirë në listat për t’iu nënshtruar testimeve dhe për të ndjekur seminaret, në mënyrë që të jenë të gatshëm për edicionin e ardhshëm.
Gjyqtarët Genc Nuza, Bujar Selimaj, Fatlum Berisha, si dhe gjyqtarja Lumturie Muhadri priten të jenë gjyqtarët e parë ndërkombëtarë të pasluftës. Ata do të marrin gradën fillestare, nëse kalojnë testet.
Në fakt, FFK-ja kohë më parë ka dërguar në FIFA një listë me emrat e gjyqtarëve që plotësojnë kriteret për të gjykuar në arenën ndërkombëtare, por vetëm 4 prej tyre janë përzgjedhur.