AlbanianSport.com 22.04.2016 09:35
ASNN – Duke përfunduar vizitën e parë zyrtare të vendit pritës të Botërorit 2018, presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, është takuar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të diskutuar përgatitjet për këtë eveniment sportiv dhe Kupën e Konfederatave 2017.
Përgjatë një orë takim, Presidenti i FIFA-s vlerësoi punën e autoriteteve më të larta politike të Rusisë për angazhimin e tyre për këto dy ngjarje të mëdha të futbollit. Presidenti Putin po ashtu e ftoi Presidentin e FIFA-s për fillimin e ardhshëm të programit të vullnetarëve për Botërorit në fund të majit dhe njoftoi se ai do të jetë i pranishëm në Shortin zyrtar për Kupën e Konfederatave që do të zhvillohet në Kazan më 26 nëntor.
Para nisjes, Presidenti i FIFA-s pati mundësinë për të vizituar Stadiumin e Spartakut të Moskës, i dyti për nga madhësia ku do të luhen ndeshjet e Botërorit 2018. Më pas Infantino u nis për një vizitë 2-ditore në Katar, vend ku do të zhvillohet Botërori i radhës në Futboll, ai i 2022-shit.