AlbanianSport.com 14.02.2016 22:05
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit do të mbështesë kandidaturën e Xhani Infantinos në zgjedhjet për postin e presidentit të FIFA-s. Presidenti Armando Duka, së bashku me 12 krerë të federatave të tjera evropiane, kanë vendosur në Beograd të votojnë kandidaturët e Infantinos në zgjedhjet e 26 shkurtit 2016.
Në deklaratën e Federatës Serbe të Futbollit, e cila ishte dhe organizatorja e këtij takimi, thuhet se për këto 13 federata, Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s dhe krahu i djathtë i Mishel Platinisë, është kandidati më i mirë për të udhëhequr organizmin që qeveris futbollin botëror.
Në këtë takim, përveç presidentëve të federatave të rajonit morën pjesë edhe Qipro, Rusia, Rumania dhe Turqia. Përveç Evropës, Infantino ka marrë mbështetje edhe nga Federatat e Amerikës së Jugut dhe pritet të jetë kandidatura më e fortë në zgjedhjet e 26 shkurtit.
Ky takim i Beogradit, ku Kombëtares dhe delegacionit kuqezi iu rrezikua jeta mbrëmjen e 14 tetorit 2014, vjen si surprizë nga ana e FSHF-së, duke ditur edhe qëndrimin e ashpër dhe pro serb të ish-shefit të UEFA-s, Mishel Platini, dhe adjutantit të tij, Infantino kundër njohjes dhe pranimit ndërkombëtar të Kosovës.