AlbanianSport.com 04.06.2015 14:15
ASNN – Presidenti i ri i FIFA-s do të anulojë organizimin e Botërorëve 2018 dhe 2022 që duhet të zhvillohen përkatësisht në Rusi dhe Katar. Federatat më të mëdha në botë do të vendosin këtë kusht kryesor për zgjedhjen e pasardhësit të Sep Blater.
Sipas mediave të ndryshme ndërkombëtar, anulimi i organizimit të Botërorëve 2018 dhe 2022, që janë përcaktuar të mbahen përkatësisht në Rusi dhe Katar, do të jetë kushti kryesor për zgjedhjen e presidentit të ri të FIFA-s, në marsin e vitit të ardhshëm.
Organizmi që qeveris futbollin botëror pranoi pak ditë më parë se votimi i këtyre dy vendeve, si të përzgjedhura për të pritur dhe organizuar ngjarjen më të rëndësishme të këtij sporti, kishin motive politike. Por hetimet po tregojnë se arsyet ishin të tjera.
Më saktë, ato ishin korruptive dhe zërat se votat janë blerë po vërtetohen me kalimin e ditëve. Për këtë arsye, sipas mediave ndërkombëtare, federatat më të mëdha të botës do të bëjnë presion për anulimin e Botërorëve në Rusi dhe Katar.
Gjithsesi dy turnetë e ardhshëm nuk janë të vetmit të inkriminuar. Ish-drejtuesi i FIFA-s, Çak Blejzër, i cili ishte njeriu që furnizoi me dokumente FBI-në, ka pohuar se ka marrë ryshfet edhe për organizimin e Botërorit 1998 në Francë dhe atij të vitit 2010, që u mbajt në Afrikën e Jugut.
Të gjitha këto pritet të konfirmohen edhe nga Xhek Uorner, ish-president i Konfederatës së Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF) dhe ish-zëvendëspresident i FIFA-s.
I arrestuar nga FBI dhe më pas i lënë në gjendje të lirë me kusht, Uorner ka bërë të ditur se do të nxjerrë të gjitha sekretet edhe pse për këtë rrezikon edhe jetën. Dëshmia e Uorner do të jetë vendimtare edhe në zbardhjen e arsyes së dorëheqjes së Sep Blaterit, pasi, siç tha ai, “zvicerani e di se përse u rrëzua”.