AlbanianSport.com 10.06.2015 14:25
ASNN – Presidenti i ri i FIFA-s nuk do të zgjidhet përpara datës 16 dhjetor, sipas lajmit të publikuar nga rrjeti prestigjioz britanik, BBC. Pas dorëheqjes së Sep Blaterit, vendi i kreut të organizmit më të lartë të futbollit botëror ka mbetur bosh. Komitetit Ekzekutiv i FIFA-s do të mblidhet në korrik për të vendosur përfundimisht datën e saktë të zgjedhjeve të reja.
Duket se 17 vitet e mbretërimit të Sep Blater në presidencën e FIFA-s do të përfundojnë në 16 dhjetor 2015, pas skandalit që ka përfshirë organizmin më të lartë të futbollit botëror. Lajmin e ka bërë të ditur televizioni britanik BBC, sipas të cilit do të jetë 16 dhjetori data për t’i mbledhur në Zyrih 209 përfaqësuesit e asamblesë që do të zgjedhin presidentin e ri të FIFA-s.
79-vjeçari Blater dha dorëheqjen muajin e kaluar, katër ditë pas rizgjedhjes së tij në krye të FIFA-s, nën peshën e skandalit të korrupsionit, që nisi me arrestimin e 7 drejtuesve të FIFA-s në 27 maj. Por një vendim përfundimtar për datën e zgjedhjeve të reja presidenciale të FIFA-s nuk do të merret para datës 1 korrik, kur Komiteti Ekzekutiv do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme.
Ndërkohë që ende nuk dihen emrat e kandidatëve që mund ta zëvendësojnë atë. Më shumë mundësi ka Princi Jordanez, Ali Bin Al-Husein, i cili u mund nga Blateri në sesionin e fundit të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s. Në këto kushte është pezulluar tenderimi për të drejtën e zhvillimit të Botërorit më 2026-n.
Duke qenë se zyrtarët e lartë të FIFA-s janë arrestuar me akuzat për korrupsion e marrje rryshfeti për finalet e botërorëve në 2018-n e 2022-shin të cilat kanë marrë miratimin për t’u zhvilluar në Rusi dhe Katar. Deri në përfundim të hetimeve duket se çdo gjë do të mbetet në vendnumëro përsa i përket ecurisë së tenderimit për Botërorin 2026.